Fatmir Stavileci ka lindur në vitin 1947 në Shtimë, me prejardhje nga Gjakova. Pas përfundimit të arsimit fillor dhe të mesëm
( normales për mësues), në vitin 1967 regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike - seksioni i edukimit të
artit figurativ në Shkup. Ai ka punuar si arsimtar i artit figurativ, dhe ndërkohë përfundoi Akademinë e Artit Figurativ - seksioni i pikturës në klasën e prof. Tahir Emra në Prishtinë.
Ekspozita të pavarura ka realizuar në Shkup, Lubjanë, Novo Mesto.
Sipas Ana Frangocskës, kuratore arti, hulumtimet e artistit ndahen në 2 diskurse tematike. Një pjesë merret me figurimin ku gërshetohet surrealizmi me realizmin, ndërsa pjesa tjetër lëviz mes surrealizmit dhe karakterit metafizik.
Peizazhet, natyrat e vdekura, qytetet e panjohura, fito dhe zoo
motivet, elementet e traditës dhe folklorit, shfaqjet figurative,
fragmentet nga trupi i njeriut, të gjithë këto janë vetem një
pjesë e repertorit që shtresohet në pëlhurat e Stavilecit, kurse
bashkëngjitja e tyre fantastike dhe surrealiste, krijon konglomerat
joreal, me karakter narrativ - përrallor.