Back to all Post

Ylli Drishti – Rakip Shabani është një vazhdues i mjeshtrave të traditës së akuarelit shqiptar

Studiuesi i artit, Ylli Drishti, e paraqet artistin qysh në vitet e para të krijimtarisë artistike e deri në ditët tona. “Rakip Shabani ka hyrë në lice artistik pa konkurruar. Menjëherë kur e pa mjeshtri Abdurrahim Buza e ftoi në Tiranë. Paradoks është se ai studioi për skulpturë. Në vitet 1953-63 ka studiuar për skulpturë, por pedagogu i tij, ai që i qëndroi afër ishte sërish mjeshtri Buza”. Drishti tregon më tej se këtij pasioni Shabani nuk iu nda gjithë jetës, në rreth pesëdhjetë vjet krijimtari, që ai me pasion dhe përkushtim ka realizuar peizazhe dhe njëkohësisht edhe portrete, në teknikën e vajit dhe në akuarel. “Ka disa çmime me të cilat është vlerësuar. Në vitin 1974 në ekspozitën kombëtare ku ka marrë pjesë është vlerësuar me çmim të parë për tablonë ‘Nëna labe’, që ndodhet në fondin e GKA-së.

Në vitin 1978 vlerësohet me çmim të dytë për punim në peizazh dhe kjo tablo, në vaj, është në GKA etj. Studiuesi Drishti shprehet më tej se duhet vlerësuar te ky autor impakti me natyrën. “Është piktor i penelit. Ai ruan magjinë dhe freskinë e akuarelit dhe njëkohësisht mund ta vlerësojmë si një artist me këndvështrime kompozicionale të veçanta”.

Rakip Shabani është një vazhdues i mjeshtrave të traditës së akuarelit shqiptar. Sipas Drishtit, duke nisur që nga Gjergj Fishta, Simon Rroka, Fadil Pëllumbi, Sadik Kaceli, Helidon Haliti etj,. punimet e tij sjellin magjinë e peizazhit shqiptar, dashurinë e tij për transparencën dhe ngjyrën që ky peizazh ka. “Do ta vlerësoja dhe për diçka tjetër. Ky piktor është prodhimtar dhe ka një kod të veçantë. Ai peizazhet i bën nga ora pesë e mëngjesit deri në shtatë. Këtë kohë e quan të përshtatshme, sepse transparenca e dritës është më e madhe. Tablotë e tij mund t’i ndajmë dhe me cikle: në atë të baronëve, të portreteve me veshje popullore, të kishave dhe të manastireve shqiptare. Kemi ciklin që i kushtohet Vlorës, bregdetit dhe fshatrave të saj etj. Në vitin 2006 ka qenë prezent në GKA”.

Language »